Zgjidhja praktike për ata që nuk duan peshën e syzeve mbi fytyrë — të buta, të forta, ose me ngjyrë.
Lentet e kontaktit të buta
Njerëzit anembanë botës, prej kohësh edhe në Shqipëri, e kanë gjetur zgjidhjen për të mos pasur më peshën e syzeve mbi fytyrë dhe për të qenë më të rehatshëm kudo. Lentet e kryejnë më së miri këtë funksion.
Lentet e kontaktit janë zgjidhja më efektive në anizometropinë e shkallës së lartë (kur numri në dy sytë është shumë i ndryshëm e nuk mund të korrigjohet me syze). Nuk doni të bëni operacion por s'doni të mbani syze, bëni sport dhe syzet ju pengojnë — lentet e kontaktit janë zgjidhja juaj.
Me lente kontakti:
Shikimi është më i qartë se me syze (sidomos në rastet e miopisë, ku shëmbëllimi në retinë është më i madh se me syze).
Fusha e pamjes është më e gjerë dhe mungojnë skotomat periferike (sidomos në rastet e hipermetropisë së shkallës së lartë ose afakisë).
Mund të korrigjohen rastet e anizometropisë së shkallës së lartë — deri në 7–10 dioptri, kundrejt 2,5–3,0 dioptri me syze.
Për të ndërruar ngjyrën e syve, për t'u dukur më bukur ose për të ndryshuar look-un tuaj, mund të përdorni lente kontakti me ngjyrë. Ato korrigjojnë në mënyrë perfekte edhe rastet kur sytë kanë ngjyrë të ndryshme, kur ka shenja vizuale në kornea, ose në rastet e aniridisë, për të formuar bebëzën e syrit.
Për miopinë
Miopia është një difekt i refrakcionit të syrit shumë i përhapur në botë. Syri, imazhi i të cilit nuk përqendrohet te retina por në një pikë para saj, kërkon një numër të caktuar syzesh. Në këtë rast, përveç syzeve, mund të përdoren lente kontakti të buta.
Për hipermetropinë
Hipermetropia është një difekt i refrakcionit të syrit kur imazhi fokusohet jo në retinë, po diku pas saj. E pakorrigjuar në moshat e vogla, mund të sjellë mosstimulim të shikimit e si pasojë shtrembërim të syrit ose ambliopi ("syri dembel"). Korrigjohet shumë mirë me lentet e kontaktit.
Për astigmatizmin
Astigmatizmi është difekt i refrakcionit të syrit kur në meridianë të ndryshëm drita përthyhet në shkallë të ndryshme dhe shëmbëllimi në retinë është i shtrembër. Përzgjedhja e syzeve në këto raste është e vështirë. Me lente torike mund të korrigjohet shumë mirë astigmatizmi deri në 3,5–5,0 dioptri.
Për presbiopinë
Një gjendje që shfaqet mbi moshën 40 vjeç — vështirësi në të parët e objekteve në afërsi. Korrigjimi i presbiopisë me lente kontakti është ende në hapat e para; lentet multifokale japin rezultate premtuese.
Çfarë duhet të dijë përdoruesi i lenteve
Çfarë lloj lente përdor (të forta apo të buta)
Firmën prodhuese dhe llojin e lenteve (p.sh. Bausch & Lomb, SofLens 59)
Parametrat e lenteve — rrezja, diametri dhe dioptria për secilin sy
Regjimin e mbajtjes (ditore, javore, dyjavore, mujore...)
Mënyrën e kujdesit ndaj lenteve
Përpara se t'i vendosni lentet:
Përzgjedhja duhet bërë nga specialisti, i cili përcakton edhe regjimin më të mirë të mbajtjes.
Lani me kujdes duart dhe fshijini me një leckë pa push.
Vendosini lentet para se të lyeni sytë; mbyllini sytë kur përdorni sprej flokësh.
Kontrolloni që lentja të mos jetë e dëmtuar ose e papastër, dhe të jetë në anën e duhur.
Vendosni gjithmonë të njëjtën lente e para, që të bëhet shprehi.
Përpara se t'i hiqni lentet:
Hiqini në kohën e duhur — mos i mbani më shumë se koha e rekomanduar nga mjeku.
Hiqini para se të keni hequr makiazhin.
Mënyra e heqjes duhet t'ju shpjegohet nga mjeku para se të largoheni nga klinika.
Kujdes!
Pyesni mjekun tuaj për mënyrën e përdorimit, kohëzgjatjen dhe sterilizimin e lenteve.
Mos ndryshoni solucionin apo mënyrën e dezinfektimit pa u konsultuar më parë me mjekun. Disa solucione mund të jenë alergjike.
Ruajini solucionet në vend të freskët dhe mos i përdorni pas datës së skadencës.
Lentet e regjimit ditor duhen hequr para gjumit.
Hiqini lentet përpara se të futeni në det, pishinë, ose kur bëni dush.
Nëse keni djegie, lotim, kruarje, skuqje ose ulje të shikimit — hiqni lentet dhe kontaktoni menjëherë mjekun.
Lentet e kontaktit të forta
Lentet e forta (gaz-permeabël) janë veçanërisht efektive për korrigjimin e astigmatizmit të shkallës së lartë, keratokonusit, dhe disa rasteve pas operacioneve refraktore. Krahasuar me lentet e buta, janë më ekonomike (kohëzgjatje ~1 vit) dhe më të lehta për t'u përkujdesur, por kërkojnë një periudhë adaptimi më të gjatë.
Llojet e lenteve të forta për keratokonusin
Për pacientët me keratokonus, ekzistojnë disa lloje lentesh të forta (gaz-permeabël), të përzgjedhura sipas stadit dhe formës së kornesë:
Lentet korneale (RGP) — mbulojnë vetëm kornenë; janë opsioni i parë në stadet e hershme/mesme, japin shikim shumë të qartë por mund të jenë më pak të rehatshme te korne shumë të parregullta.
Lentet semi-sklerale — më të mëdha se ato korneale, mbështeten pjesërisht mbi sklerë (pjesa e bardhë e syrit), duke lënë hapësirë mbi kornenë e parregullt — më të rehatshme dhe më stabile.
Lentet sklerale — edhe më të mëdha, mbështeten tërësisht mbi sklerë, "kalojnë" plotësisht kornenë pa e prekur. Janë shumë efektive në stadet e avancuara të keratokonusit ose kur kornea është shumë e parregullt, dhe ofrojnë komoditet të lartë.
Lentet hibride — kombinojnë një qendër të fortë (gaz-permeabël, për shikim të qartë) me një unazë periferike të butë (për komoditet) — një zgjidhje e ndërmjetme mes lenteve korneale dhe atyre të buta.
Zgjedhja e llojit të saktë të lentes bëhet gjithmonë individualisht nga specialisti, pas matjeve të hollësishme të topografisë së kornesë.
Lentet Ortokeratologjike (Ortho-K)
Lentet ortokeratologjike janë lente të forta (gaz-permeabël) speciale, të dizajnuara për t'u mbajtur vetëm gjatë natës, ndërsa flini. Gjatë kësaj kohe, lentja ushtron një presion shumë të lehtë dhe të kontrolluar mbi kornenë, duke i ndryshuar përkohësisht formën — në mëngjes, kur e hiqni, shikoni qartë gjatë gjithë ditës, pa syze dhe pa lente.
Si funksionon?
Ndryshe nga lentet e zakonshme që korrigjojnë shikimin ndërsa i mbani, Ortho-K "riformëson" përkohësisht sipërfaqen e jashtme të kornesë. Efekti është i kthyeshëm — nëse ndërpritet përdorimi, korneja rikthehet gradualisht në formën e saj origjinale brenda disa ditësh.
Kush mund të përfitojë?
Fëmijë dhe adoleshentë me miopi — përveç korrigjimit ditor, ka të dhëna që Ortho-K ndihmon të ngadalësojë përparimin (progresionin) e miopisë te fëmijët, duke ruajtur numrin më të ulët në afat të gjatë.
Të rritur me miopi të lehtë deri të moderuar që duan liri nga syzet/lentet gjatë ditës — sportistë, njerëz me profesione ku syzet apo lentet ditore janë të papërshtatshme (notarë, punëtorë në pluhur, etj.).
Pacientë me astigmatizëm të lehtë, në varësi të vlerësimit individual.
Përparësitë
Shikim i qartë gjatë ditës, pa nevojën për syze apo lente
E kthyeshme plotësisht — nuk është ndërhyrje kirurgjikale
E përshtatshme për fëmijë (alternativë ndaj kirurgjisë refraktive, e cila kërkon moshë madhore)
Efekt i mundshëm ngadalësues në progresionin e miopisë te fëmijët
Çfarë duhet të dini
Rezultatet plotësohen gradualisht — zakonisht brenda disa ditësh deri 1-2 javë të përdorimit të rregullt.
Lentja duhet mbajtur çdo natë (ose sipas rekomandimit) për të ruajtur efektin — nëse ndërpritet për disa net, shikimi rikthehet gradualisht drejt gjendjes fillestare.
Kërkon kujdes rigoroz higjienik, si çdo lente tjetër kontakti, për të shmangur infeksionet.
Përshtatshmëria përcaktohet vetëm pas një ekzaminimi të plotë, duke përfshirë topografinë e kornesë.
E përshtatshme për fëmijë: Ortho-K është një nga opsionet që po përdoret gjithnjë e më shumë për të menaxhuar miopinë progresive te fëmijët — na kontaktoni për një vlerësim.
Video: vendosja dhe heqja e lenteve
Video edukative mbi vendosjen, heqjen dhe kujdesin për lentet e kontaktit — të buta dhe të forta (RGP):
Lentet e buta — video nga Dr. Valerie Lam.
Lentet e forta (RGP) — video nga Moorfields Eye Hospital, NHS.
Lentet e kontaktit mund t'i porositni edhe me çmim të favorshëm — shihni faqen e kontaktit për detaje dërgese në Tiranë.
Redaktoi tekstin Dr. Edmond Isufaj. Teksti ka karakter informativ dhe jo mjekësor. Për informacion më të hollësishëm, kontaktoni mjekun tuaj.